Në një operacion të fundit të Policisë së Shtetit, Safet Bajri, një nga emrat më të përfolur të botës së krimit në Shkodër, është arrestuar pas një urdhri të lëshuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Aktualisht, Bajri po transferohet drejt Tiranës për procedurat e mëtejshme ligjore, ndërsa ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në vend.
Dy ditë më parë, forcat speciale RENEA kryen kontrolle të gjera në banesën e Safet Bajrit në Shkodër, ku u sekuestruan disa automjete të blinduara dhe sende të tjera të dyshimta. Ky operacion vjen si pjesë e hetimeve të vazhdueshme mbi aktivitetet kriminale të dyshuara të grupit “Bajri”, i njohur për përfshirjen e tij në aktivitete të paligjshme.
Safet Bajri nuk është një emër i ri për drejtësinë shqiptare dhe atë ndërkombëtare. Në vitin 2018, ai u arrestua në Tiranë gjatë operacionit “Oaz” dhe më pas u dënua nga drejtësia belge me 22 vite burg për akuza të rënda, përfshirë trafik droge, shfrytëzim prostitucioni dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Megjithatë, Bajri arriti të lirohej pas vetëm 4.5 vitesh burgim, duke përfituar nga dispozitat ligjore për bashkimin e dënimeve dhe për sjellje të mirë.
Safet Bajri akuzohet si i dyshuar për vrasjen e Fatbardh Licit më 2018 dhe po hetohet për lidhjet që mund të ketë me masakrën e Dobraçit ku u vranë në mënyrë makabër Hamza Lici dhe Arlind Bushati.Këto akuza u mohuan nga Safet Bajri një ditë më parë në një dalje aspak të zakontë në Top Channel.Por këto mbeten akuza që tashmë duhen të provohen nga organi i akuzës.