Nga Ardian Hoti
Rrjetet kriminale të përbëra nga shtetas jo anëtarë të BE më së shumti vijnë nga Shqipëria, Bosnja, Kina, Gjeorgjia, Islanda, Nigeria, Serbia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina, thekson Europol. Rrjetet shqiptare të përbërë kryesisht nga anëtarë shqiptarë të bandave janë kryesisht të përqendruar në tregun e kokainës, heroinës e kanabisit kryesisht në Belgjikë, Francë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Spanjë. Jashtë BE-së ata operojnë në Brazil, Kolumbi, Ekuador dhe në vendin origjinë, Shqipëri.
Europol përmend si sukses në raport shkatërrimin e një bande të madhe shqiptare të drogës në 25 maj 2023, që sillte drogë me kontenierë në Belgjikë. Droga sillej në Gjermani me makina me sisteme të rafinuara të fshehjes dhe shpërndahej në Europë. Bandat shqiptare janë të organizuara si familje me hierarki, të përbëra kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe shqiptarë me nënshtetësi të dyfishtë.
Tregu ilegal i drogës është një nga shkaqet kryesore për dhunën dhe të ardhurat e bandave”, ka thënë ministrja e Brendshme belge, Annelies Verlinden, pas prezantimit të raportit. Aktivitetet kriminale të bandave po shfaqen gjithnjë e më shpesh në publik dhe rrezikojnë sigurinë e popullsisë, është shprehur ministrja e Brendshme belge. Në shumë qytete të BE janë shtuar deliktet e drogës dhe luftërat për pushtet mes bandave. Për t’i ikur përndekjes ligjore shumë banda përdorin adoleshentët për tregtinë e drogës dhe aktivitete të tjera kriminale.